Lajme Arkiva 2003
Në gjendje të rëndë Gani Malushi shef i komisariatit të Krujës, në sallën e reanimacionit të spitalit ushtarak mjekët vazhdojnë ta mbajnë në punë zemrën e Malushit nëpërmjet frymëmarrjes me aparat. Në 2:00 pas mesnate Malushi ka dhënë shenjat e para të jetës duke dal nga gjendja koma që mbarte pas operacionit që zgjati më shumë se 4 orë.
Por menjëherë pas kësaj shefi i policisë është përfshirë në një gjendje që mund të konsiderohet si vdekje klinike. Familjarët dhe të njohurit e Malushit vazhdojnë të qëndrojnë në korridorin pranë sallës së operacionit duke pritur me ankth.
Ndërkohë drejtori i policisë së qarkut Durrës ka vizituar disa herë radhazi sallën reanimative në pritje të një lajmi për jetën e kolegut të tij të vjetër. Sipas Pashkë Tushës deri më tani për gjetjen e vëllezërve Pepa atentator të Gjovalin Ndreut dhe Gani Malushit janë ushtruar kontrolle jo vetëm në Durrës, por edhe në vende të tjera ku banojnë anëtarë të familjes Pepa.
Pashkë Tusha: Kontrollet janë bërë jo me dhjetëra, por janë bërë me qindra kontrolle edhe në Mirditë, edhe në Lezhë edhe në Krujë edhe në Durrës. Me të gjitha forcat policisë së Durrësit, forcat speciale të ndërhyrjes së shpejtë. E gjithë ministria e rendit, të gjithë drejtuesit e Ministrisë së Rendit Publik që ditën e djeshme janë të angazhuar për këtë ngjarje shumë të rëndë që ka ndodhur.
Gazetarja: Ku janë gjurmët e fundit të vrasësve?
Pashkë Tusha: Unë nuk mund të bëjë komente dhe të jap prononcime për gjurmët dhe për provat e kësaj ngjarje sepse është organi i prokurorisë së rrethit të Durrësit, i cili ka kompetencë që të vlerësoj dhe të pohojë gjurmët e ngjarjes së ndodhur ditën e diel.
Gazetarja A ekziston një mundësi për tu dorëzuar?
Pashkë Tusha: Është biseduar me të afërmit e autorit të krimit, me prindërit me bashkëshorten, me të gjithë njerëzit e afër të tij dhe kanë marrë përsipër përpara policisë që të bëjnë të pamundurën për të dorëzuar autorin e këtij krimi shumë të rëndë që ka ndodhur dje në Durrës./tvklan.al