Dy aksione antidrogë janë finalizuar në mbrëmje nga seksionet e luftës kundër drogës në Tiranë dhe në Vlorë.
Shtatë persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar 2 kilogram lëndë narkotike e llojit heroinë.
Në Tiranë në operacionin e koduar “Kollona” një kilogram heroinë u kap pranë stadiumit “Qemal Stafa”, ndërsa po trafikohej mes tre personave të arrestuar, identitetet e të cilëve janë bërë publikë nga drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit.
Laura Totraku: “Mehmet Belba, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Elvis Arifaj, 24 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, Martin Bocaj, 22 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë”.
Droga ishte e ndarë në dy pako, ndërkohë që gjatë kontrollit të banesave të tyre policia u ka sekuestruar trafikantëve dhe një autoveturë tip “Benz” me targë TR 3431 M, si dhe 400 mijë lekë të reja dhe pesë shashka.
E njëjta sasi droge u kap në Vlorë ku në një tjetër operacion të policisë së koduar me emrin, “Aprolia” përfunduan në pranga katër persona.
Laura Totraku: “Gentian Mërtiraj, 24 vjeç, nga Vlora, Ervin Lushaj, 21 vjeç, nga Vlora, Vilson Lushaj, 40 vjeç, nga Vlora, si dhe Ermal Harizaj, 23 vjeç nga Vlora me aktivitet privat tregtar.”
Arrestimi i tyre u bë në afërsi të shkollës së mesme, Ali Demi. Policia sekuestroi dhe tre mjete të tyre, një “Volvo” me targa italiane, një “Benz” 180 C Class me targa italiane, si dhe një motor Aprilia me targë VL 601 A.
Në të dyja rastet policia njoftoi se trafikantët janë mbajtur nën vëzhgim prej disa kohësh dhe se për zbulimin e aktivitetit të tyre kriminal janë përdorur metoda speciale të hetimit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle