Çmimi i naftës në Kosovë ka pësuar rënie vetëm për 2%, ndërkohë që në tregjet globale çmimi i arit të zi ka rënë përafërsisht 20%.
Tregtarët kosovarë reagojnë shumë shpejt kur çmimi i naftës ngrihet në tregjet ndërkombëtare, por një tregim tjetër shfaqet kur çmimet atje bien.
Bedri Selmani, njëri prej importuesve kryesorë të naftës në vend, thotë se ka dy arsye që kanë ndikuar në zbritjen e vogël të çmimit të naftës në Kosovë.
Bedri Selmani: “Rënie kemi diku për 10%. Çmimi i tregut global kemi për 15%, por gjithherë të shprehur në dollarë. Rënia është shpreh, por kemi fuqizimin e dollarit në raport me euron, diku për 5-6%”.
Një shpjegim tjetër jep Driton Tali, deputet në kuvendin e Kosovës.
Driton Tali: “Po kjo është mënyra e të bërit biznes në Ballkan. Tregtarët e naftës veç i kanë stoqet e mbushura dhe presin ato që t’i shesin. Pastaj me furnizimin e ri, çmimi do të bie”.
Në ekonominë e tregut të lirë institucionet shtetërore nuk mund të ndikojnë në çmimin e produkteve.
Shpend Ahmeti: “Ndryshimet në çmim, posaçërisht zbritjet në çmim reflektohen shumë ngadalë për shkak se jemi dora e katërt apo e pestë që e marrim naftën. E vetmja mënyrë në këto raste është që të forcohet konkurrenca në treg, dmth, që të mos lejohet kurrfarë pengimi apo ndonjë sjellje prej dy-tre kompanive të forta që të tregojnë, dmth, që të diktojnë çmimin, përndryshe dmth konkurrenca do të jetë ajo e cila do ta zvogëlojë çmimin shumë shpejt.”
Nga ana tjetër qytetarët shprehen të indinjuar nga çmimi i lartë i naftës.
“Po vërehet një shumë shumë e vogël, për shkak se ka qenë 1.30 euro, është bërë 1.27 euro.”
“Siç po shihet nuk ka rënie të çmimit. Kjo është e pakuptueshme”.
Çmimi i naftës aktualisht në Kosovë është 1.23 euro, derisa çmimi i benzinës shkon deri në 1.20 euro./tvklan.al