Rikthimi i reshjeve të shiut dhe dëborës në veri të vendit ka sjellë rritje të prurjeve në kaskadën e Drinit.
Ndryshe nga dy javët e fundit, në Fierzë niveli i liqenit po rritet, me rreth 25 centimetra në ditë teksa aktualisht e ka kaluar nivelin e 287 metrave.
Për drejtorin e Korporatës Elektroenergjetike, Muharrem Stojku, situata është nën kontroll dhe një hapje e mundshme e portave të shkarkimit mund të merret në konsideratë vetëm pas rreth 2 javëve në vijim nëse dhe prurjet do të vazhdojnë me këtë intensitet.
Muharrem Stojku: “Situata aktuale në kaskadën e Drinit është më prurje pak a shumë të mëdha, por dyfish mbi normalen është në liqenin e Fierzës, kurse në liqenin e Komanit dhe Vaut të Dejës është në kushtet normale. Ne nuk kemi ndërmend të hapim portat sepse kushtet janë pothuaj brenda rregullores. Fierza është në nivelin 287.3 metër që jemi larg kuotës 290 metër. Ne tani për tani me këto prurje që janë kemi një rritje afërisht 1cm në orë.”
KESH po vijon të prodhojë maksimumin e mundshëm të energjisë, pa vënë në rrezik sistemin, rreth 25 milion kilovat orë në ditë, ndërkohë që përveç furnizimit të vendit me energji edhe po eksportohet./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro