Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Revista e njohur angleze “The Economist”, i ka kushtuar një faqe të saj portretit të kryeministrit shqiptar Ilir Meta, një eveniment ky i rëndësishëm për çdo politikan në botë. Ai mund të bëhej një kampion në ngritje peshash, por në vend të kësaj Ilir Meta zgjodhi politikën, për të cilën i duhen gjithashtu muskuj, këmbëngulje dhe aftësi për të zgjedhur momentin e duhur për një përpjekje të përgjithshme.
Kjo është një pjesë e përshkrimit pozitiv që “The Economist”, bën për kryeministrin shqiptar Ilir Meta, i cili në 18 muaj ka shënuar jo pak suksese, por megjithatë në Shqipëri vlerëson revista “The Economist”, mbetet shqetësim i madh mungesa e rendit në veri të vendit, trafiku i drogës dhe i klandestinëve, si dhe krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Në kuadrin e krizës rajonale, revista britanike “The Economist”, ka nënvizuar qëndrimin e matur të qeverisë shqiptare. “Shqipëria e Madhe është një projekt që nuk ekziston as në mëndjet tona”, citohet kryeministri Ilir Meta, i cili sipas revistës “The Economist” është i vendosur në drejtimin e Shqipërisë me Europën./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame