Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq biznesmenin e hidrokrabureve Rezart Taçin me dyshimet se krijoi gjatë vitit 2013 një skemë mashtrimi me TVSH-në.
Sipas një njoftimi zyrtar të lëshuar, prokuroria thotë se hetimet e kryera që nga viti 2018, treguan se skema u vu në jetë nëpërmjet dy shoqërive tregtare.
Konkretisht shoqëria ‘Kuid’ sh.p.k si agjente e shitjes me pakicë e shoqërisë ‘Taçi Oil International Trading and Supply Company’, i ka faturuar komisione shërbimi më shumë në sasi, se sa sasia e furnizuar në fakt për periudhën Maj-Dhjetor 2013.
Në 8 muaj, shoqëria e biznesmenit Rezart Taçi sipas hetimeve ka deklaruar shitje më shumë nga sasia reale, në vlerën e 51.8 milionë Lekëve.
Duke faturuar komisione me shumë, kjo shoqëri ka kredituar padrejtësisht TVSH-në me vlerë 10.3 milionë Lekëve.
Nga ana tjetër, Taçi është duke u gjykuar nga Gjykata e Posaçme në mungesë pasi ndodhet në kërkim që prej vitit 2022, me dyshimet se ka ndihmuar një biznesmen italian i lidhur me mafien të pastroj para në Shqipëri.
Tv Klan