Teknologjia e bashkëveprimit mes njeriut dhe pajisjeve robotike ka bërë bashkë në Pekin, inxhinierë dhe sipërmarrës nga 30 vende të ndryshme të botës, në Konferencën Botërore për Robotët.
Në qendër të konferencës është teknologjia që mundëson kontrollin e veprimeve të robotëve përmes trurit të njeriut. Kjo lloj teknologjie ve në lëvizje pajisjet robotike përmes disa mjeteve të veçanta elektronike që grumbullojnë impulset elektrike të sistemit nervor të njeriut, për t’i shndërruar në lëvizje për robotot.
Teknologjia e zhvilluar vitet e fundit po përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën. Ajo u vjen në ndihmë kryesisht njerëzve me aftësi të kufizuara si në rastin e atyre që vuajnë nga çrregullime të ndryshme muskulore.
Konferenca që zhvillohet këtë javë ka për qëllim nxitjen dhe përmirësimin e kësaj teknologjie përmes lehtësimit të bashkëpunimit mes firmave prodhuese të robotëve dhe botës akademike që merret me zhvillimin e tyre.
Tv Klan