Një robot i ngjashëm me një yll deti zgjat 5 këmbët e tij, pa qenë nevoja për bateri apo prizë pasi kontrollohet vetëm nga sinjalet e kërpudhave. Roboti i ri i krijuar nga Cornell University ëshftë i frymëzuar dhe i ndërlidhur me natyrën.
“Robotika biohibride” është një fushë e re që kombinon qelizat bimore, shtazore dhe kërpudhore me materiale sintetike për të krijuar robotë. Robotë të vegjël biohibridë të prodhuar nga neuronet e minjve mund të ecin dhe notojnë. Robotët që notojnë janë krijuar duke përdorur qelizat e kandilit të detit dhe përdoren për të eksploruar oqeanin.
Por përdorimi i qelizave të kafshëve është i shtrenjtë dhe ka ndërlikime etike, ndërsa qelizat bimore u përgjigjen më ngadalë stimujve. Tani një studim i ri i publikuar në Science Robotics tregon sesi kërpudhat mund të jenë çelësi.
Kërpudhat janë shumë të lehta për t’u rritur dhe gjithçka fillon me kultivimin e micelës, rrjetit të tyre nëntokësor që mundëson komunikimin. Në vend të tokës, përdoret një model plot me elektroda.
Micela nis të prodhojë impulse elektrike sipas ndryshimeve të mjedisit të cilat mund të shfaqen në kompjuter. Kompjuteri i kthen në komanda dixhitale duke mundësuar lëvizjen e robotëve. Duke qenë se kërpudhat nuk e pëlqejnë dritën, kur mbi to reflektohen rreze ultravjollcë, sinjalet elektrike bëhen më të forta dhe robotët lëvizin më shpejt.
Robotët biohibridë mund të përdoren shumë mirë në bujqësi: kërpudhat janë shumë të ndjeshme ndaj mjedisit dhe këta robotë mund të dallojnë ndotësit, helmet dhe patogjenët në fushat e mbjella,më mirë se sa robotët sintetikë.
Kërpudhat mund të mbijetojnë në kushte ekstreme dhe të njëjtat veti i gëzojnë edhe robotët e krijuar me to. Ato mund të rezistojnë në ujë shumë të kripur, të ftohtë ekstrem dhe rrezatim të fortë. Pika më e fortë e robotëve biohibridë me kërpudha është fakti që nuk krijojnë mbetje të dëmshme për mjedisin sepse nuk përmbajnë metale apo plastikë.
Kërpudhat gjenden kudo dhe robotët mund të prodhohen edhe në zona që kanë më pak burime, qofshin këto edhe të largëta duke treguar një premisë për t’u përdorur edhe në robotikën hapësinore./tvklan.al