Me gati një të tretën e popullsisë në moshë mbi 65 vjeç, Japonia kryeson me popullsinë më të vjetër në botë. Ky fakt, gjithnjë e më shumë po shkakton mungesë të fuqisë punëtore në vend dhe si një zgjidhje të situatës, shumë kompani të mëdha po i drejtohen teknologjisë.
Model-T është roboti që kohët e fundit po shihet si një zëvendësim i duhur punëtori nëpër dyqane. I krijuar nga kompania japoneze Telexistence, ai ka një gjatësi 2 metra, lëviz mbi një platformë me rrota dhe është i pajisur me kamera, mikrofonë dhe sensorë.
Funksioni i këtij roboti në dyqane do të jetë të mbushë raftet me produkte të ndryshme duke përdorur nga tre “gishta” që ka në “duart e tij”.
Matt Komatsu, kreu i zhvillimit të biznesit dhe operacioneve në Telexistence, tha për CNN se roboti është në gjendje të kapë dhe të vendosë në rafte objekte të disa formave dhe madhësive të ndryshme. Kjo e veçon Model-T nga robotët e tjerë që përdor rrjeti i dyqaneve Walmart, për skanimin e inventarit ose robotët e thjeshtë që përdoren nëpër depo të ndryshme.
Komatsu bëri të ditur se dy kompanitë më të mëdha në Japoni FamilyMart dhe Lawson kanë filluar përdorimin e këtij modeli. Ai tha se Lawson këtë javë ka vendosur robotin e parë në një nga dyqanet e tij në Tokio. Ndërsa, FamilyMart ka provuar të njëjtët robotë muajin e kaluar dhe planifikon që deri në vitin 2022, t’i vendosë në 20 dyqane të saj.
Për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore në Japoni, edhe qeveria e vendit ka bërë disa lëvizje, duke e lehtësuar procesin e imigracionit për punëtorët e huaj. Megjithatë, ekspertët argumentojnë se për arsye të ndryshme, Japonia mbetet ende shumë prapa vendeve të tjera të industrializuara, në lidhje me emigrantët. Prandaj, nuk besohet se emigracioni mund të rritet në atë shkallë, sa të kompensojë plakjen e popullsisë dhe të përmbushë nevojat e tregut për fuqinë punëtore.
Kjo do të thotë se qytetarët japonezë do të duhet të mësohen me faktin që shumë shpejt do të shohin një numër të konsiderueshëm robotësh që punojnë nëpër dyqane./tvklan.al