Dhjetëra fshatra në Fier ndodhen në një situatë emergjente për shkak të rrëshqitjeve masive të dheut. Gjithsej 58 shtëpi të rrënuara dhe sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore të dëmtuara.
Komunat Kurjan, Frakull, Cakran e Rruzhdije janë dhe më të prekurat nga ky fenomen. Shumë prej banorëve, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar kanë gjetur strehë te të afërmit e tyre.
Zona është inspektuar edhe nga zëvendës ministri i Brendshëm Ferdinand Poni, ndërsa në prefekturë Shtabi i Emergjencës mblodhi krerët e komunave për të diskutuar mbi gjendjen dhe masat që do të merren.
Vladimir Korçari: “Në mbrojtje të fshatit sa herë ka patur kanale, që në kohët e vjetra dhe ato duhet të vihen eficencë për të shpëtuar gjithë ata banorë nga erozioni i shirave që bien, ose nga erozionet e kohës. Banorët që jetojnë në këto shtëpi, të dalin nga shtëpitë dhe të strehohen me çadra, me kabina, me mjete rrethanore që të shpëtojmë nga fatkeqësitë njerëzore.”
Hamza Toro: “Nuk është vetëm shtëpitë që ne kemi si komunë. Kemi mjaft bllokime rrugësh në të gjitha fshatrat e komunës edhe në rrugën kryesore që shkon për në Gjegjar na ka shkarë. Jemi munduar të bëjmë pastrime, ne pastro përpara ajo rrëshqit nga pas.”
Agron Kapllanaj: “Shqetësim i madhe ngelet edhe toka bujqësore, pasi në komunën Qendër janë 189 Ha tokë bujqësore e dëmtuar nga erozionet, nga shkarjet, të cilat janë të mbjella, ullishte vreshtari apo edhe toka të mbjella me kultura bujqësore.”
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të dheut edhe në fshatrat e komunës Zejmen në Lezhë. Muret e disa banesave kanë pësuar çarje, çka ka shtuar shqetësimin e banorëve për shembjen e tyre.
Banore 1: “Përditë është duke ik dheu dhe përnatë, në këtë shtëpi nuk mund të jetojmë, shtëpia ka plasarit krejt.”
Banore 2: “Është bërë 3 vjet që ka pas bërë pak lëvizje. Kurse tani shkau krejt.”
Mark Vata: “Shenjat kanë qenë në distanca të paktën 1 pëllëmbë lëvizje e dheut, ndërsa me reshjet e rëna tani rrëshqitjet kanë qenë shumë më të mëdha. Kemi shpërndarë disa çadra përsa i përket zonave më problematike që kanë qenë para 6-7 muajsh. Do mundohem të marrim masa edhe për familjet që janë në nevojë tani dhe të krijojmë kushte sa më të përshtatshme, që në rast nevoje të evakuojmë këto njerëz.”
I rrezikuar nga rrëshqitja është edhe ujësjellësi i fshatit Zejmen./tvklan.al