Në universitete vijojnë regjistrimet për raundin e dytë. Sipas drejtorit të Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj fituesit kanë afat deri ditën e nisjes së vitit akademik, më 7 Tetor që të regjistrohen. Ky vit akademik, ndryshe nga vitet e tjera që numri i studetëve është ulur, pritet të ketë një rritje të lehtë.
Arjan Xhelaj, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar: Kemi rreth 3400 maturantë të regjistruar nga 5500 që aplikuan në raundin e dytë, kështu që deri në fund të raundit besoj se do të kemi 4000 maturantë të regjistruar, që është një shifër e mirë. Kjo ka qenë edhe ecuria më e mirë nëse do ta kapim këtë rezultat. Besoj se mbase arrijmë edhe 20 mijë maturantë deri në fund të raundit të dytë duke pasur parasysh që është edhe faza tjetër që nis nga 10 Tetor.
Deri më tani përfshi edhe raundin e parë janë regjistruar në një program studimi 19,600 maturantë duke ju afruar shifrës totale të studentëve që hynë në vitin e parë vitin e shkuar akademik. Sipas Xhelajt kjo rritje e numrit të studentëve, po vjen për shkak të interesit të lartë të të rinjve, që kanë mbaruar maturën vite më parë dhe duan të ndjekin universitetin.
Arjan Xhelaj, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar: Kemi një rritje mbi 15% të aplikantëve që kanë plotësuar formularin që i bije të jenë maturantë të viteve të kaluara. Kanë pasur një shkëputje nga përfundimi i maturës, mbase kanë qenë të punësuar ose kanë vazhduar diçka tjetër që t’i rikthehen universitetit duke parë që edhe përfitimet e tyre në karrierën profesionale mund të jenë më të larta me një diplomë universitare.
Disa programe studimi vijojnë të kenë pak studentë të regjistruar, dhe kjo sipas Xhelajt vjen për shkak se oferta akademike është shumë e zgjeruar.
Arjan Xhelaj, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar: Ato programe që nuk kanë as regjistrime ndër vite mbase duhen mbyllur dhe përshtatur pastaj këto resurse akademike për lëndë në kurrikula të tjera.
Për vitin e ri akademik 2024-2025 degët e gjuhëve të huaja kanë shumë pak regjistrime, po ashtu edhe disa programe të lëndëve egzakte dhe programet e mësuesisë.
Klan News