Partitë politike në Maqedoni vlerësojnë se debati i vazhdueshëm që konsiston në ndarjen e Kosovës po i jep krah dhe po afirmon konceptin e ndarjes edhe në Maqedoni.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Rafiz Haliti, thekson se BDI është e shqetësuar nga promovimi i theksuar i projekteve ndarëse në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij zhvillimi i tendencave të tilla të Serbisë për ndarje në Kosovë, sidomos të veriut nga ana e Beogradit, po reflektohen edhe në Maqedoni dhe kanë shkaktuar pakënaqësi edhe tek shqiptarët atje.

Haliti shpjegon se me anë të këtyre skenarëve mund të nxiten forca të errëta që do të kërkojnë kufij të rinj në Ballkan.

Nga ana e saj Partia Demokratike Shqiptare akuzon qeverinë Gruevski se po ndërmerr një qasje jo serioze ndaj çështjeve të ndjeshme për shqiptarët në vend dhe rajon, siç janë gjuha shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare dhe rastet e Hagës.

Historia ka treguar, thotë sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Imer Aliu, se kur bëhet fjalë për çështje ndëretnike zhvillimet në Ballkan mund të kenë edhe efektin domino./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle