Një helikopter ushtarak është rrëzuar në rajonin e Oromia të Etiopisë, raporton agjencia e lajmeve shtetërore Fana. Nga ngjarja tragjike kanë humbur jetën 18 persona, ku 15 ishin ushtarë dhe 3 civilë.
Helikopteri u rrëzua teksa po fluturonte midis qytetit lindor të Dire Dawa dhe selisë së forcave ajrore etiopiane në Bishoftu, një qytet turistik në juglindje të kryeqytetit Addis Abeba.
Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e këtij aksidenti tragjik që çoi në vdekjen e 18 personave.
Addisu Arega, ministër lokal i kabinetit të Oromias, konfirmoi lajmin për agjencinë duke thënë se:
“Të gjithë pasagjerët në bord vdiqën. Shkaqet janë duke u hetuar, i shpreh ngushëllimet tona familjeve të viktimave”.
Në vitin 2013, një avion ushtarak etiopian u rrëzua në Mogadishu, duke vrarë katër anëtarë të ekuipazhit.
/tvklan.al