Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Racizëm i policëve grekë kundër emigrantëve shqiptarë. Një qytetar shqiptar është vrarë mbrëmjen e djeshme në hyrje të Kosturit nga policia kufitare greke, si dhe katër të tjerë janë arrestuar dhe pritet të dalin përpara një gjykate greke.

Sipas agjencisë greke të lajmeve, mbrëmjen e së martës një grup prej 6 emigrantësh shqiptarë janë ndeshur me një patrullë të policisë greke. Thirrjes për ndalim të policisë, dy prej emigrantëve nuk i janë përgjigjur dhe kanë tentuar të largohen me vrap, por në këtë moment, njëri prej policëve ka qëlluar drejt emigrantëve duke e lënë të vdekur njërin prej tyre, ndërsa katër të tjerë janë arrestuar.

Ndërkohë mësohet që polici që qëlloi me armë është arrestuar. Ndërsa në po të njëjtën natë, po në vend të ndryshëm, policët grekë kanë keqtrajtuar dhe tre emigrantë të tjerë. Madje njërit prej tyre nga Mirasi i Korçës i kanë thyer këmbën.

Por edhe një javë më parë, policët grekë masakruan derisa i nxorën shpretkën jashtë funksionit një emigranti, duke e keqtrajtuar edhe vëllain e tij, si dhe një tjetër shqiptar. I papërfillshëm është edhe reagimi i shtetit shqiptar përball kësaj dhune shtetërore greke. /tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini