Shifrat pozitive të mbërritjeve turistike në vendin tonë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti nuk janë të rastësishme. Ministri i turizmit zoti Ylli Pango ka rreshtuar një sërë faktorësh, që ka ndikuar në thithjen e vizitorëve drejt Shqipërisë turistike, ku numrin më të madh e zënë ata maqedonas.

Krahas punës së kësaj ministrie në promovimin vlerave më të mira turistike, pozitivisht kanë ndikuar edhe çmimet e stabilizuara të njësive akomoduese  shqiptare.

Ylli Pango: “E kemi përballuar tregun rajonal edhe me çmime më të ulura. Dikur ju e dini ka qenë pak problem, çmime të larta për shërbime jo të justifikuara. Tani çmimet më të ulura në tregun shqiptar bëjnë që në të thithim më shumë turistë. Turistët maqedonas, flas për turistët me shtetësi dhe kombësi maqedonase që sipas shifrave zyrtare që dhashë kanë arritur në 280 mijë. Nuk kanë ardhur rastësisht këtu, nuk është thjesht vetëm aspekti politik që ka peshën e vet. por 2 muaj rresht ne kemi bërë promocion në Shkup dhe në televizionet përkatës është shfaqur spoti ynë. Duhet të dini se që në maj të këtij kanë ardhur operatoret turistik maqedonas në hotelet tona.”

Deklarata e ministrit Pango erdhi gjatë nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me shoqatën shqiptare të turizmit. Që tenton të rrisë standardet e gamës së shërbimeve turistike si dhe të promocionit të përbashkët në tregjet rajonale.

Sipas shifrave të dhëna së fundmi nga ministria e turizmit, dëri në fund të gushtit në vendin tonë janë regjistruar rreth 1 milion vizitorë të huaj, apo 23% më shumë se një vit më parë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro