Sali Berisha: “Dyfishimi i eksporteve Made in Albania në janarin e këtij viti krahasuar me janarin e  vitit 2009-t. Kjo është rritja më e madhe, më e paparë ndonjëherë, çka dëshmon, se ekonomia shqiptare nis me një start të pa precedent”.

Tendencën pozitive të eksporteve e konfirmon edhe INSTAT. Në raportin e sapo publikuar mbi  tregtinë dhe jashtë, INSTAT vëren se eksportet gjatë dhjetorit të vitit të kaluar u rrit në mese 40% në vlerë krahasuar me fundin e 2008-s.

Rritje kanë njohur gati të gjitha kategoritë e eksporteve. Në sy bie katërfishimi i grupeve të mineraleve dhe lëndëve djegëse, të cilat regjistruan në dhjetor të 2009-s rreth 2.5 miliard lekë.

Selami Xhepa deputet dhe Ekspert i Ekonomisë mendon se tendenca pozitive në tregtinë me jashtë do të vijojë gjatë 2010.

Selami Xhepa: ”Rënia e eksporteve që varionte nga 7 deri në 20 ,apo 22% në nivele mujore shënoi, kthesën e vet që në muajin tetor më një rritje shumë të vogël pozitive me 0.3 %, për t’u fuqizuar pastaj në veçanti në muajt nëntor dhe siç është bërë tashmë e ditur edhe nga shifrat e fundit publikuara nga INSTAT-i, rritja më e fortë është shënuar në muajin dhjetor, me një rritje edhe në terma verore gati dyfish në raport me të njëjtat periudha të viteve të kaluara. Mesa duket ajo që është parashikuar që viti 2010 do të jetë vit i një dinamizmi më të madh ekonomik në raport me vitin 2009, por fillon që të materializohet”.

Sipas Xhepës eksportet shqiptare tashmë po orientohen përtej tregjeve rajonale.

Selami Xhepa: “Mesa duket dhe struktura e tregtisë së jashtme dhe gjeografia po diversifikohet shumë në raport me periudhat e kaluara. Kemi parasysh, që dy ekonomitë e rajonit qoftë Italia, qoftë dhe Greqia në veçanti janë në një periudhë jo të mirë ekonomike dhe për rrjedhojë duket që kanalet e ndikimit do të jenë nga ekonomitë e tjera”.

Rritja e eksporteve do të thotë më shumë valutë në vend, duke krijuar një ambient më të favorshëm për forcimin e monedhës vendase në raport me euron./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro