Qeveria po ndjek me kujdes ecurinë e ekonomisë shqiptare, po analizon rreziqet që i kanosen si pasojë e krizës globale dhe po ndërmerr politika stimuluese. Paketa anti-krizë sipas Petraq Milos, këshilltari i kryeministrit për ekonominë dhe financat, konsiston më së shumti në uljen e barrës fiskale, financimin e deficitit, mbajtjen e ulët të inflacionit si dhe nxitjen e investimeve.
Petraq Milo: “Në vazhdojmë t’i nxisim investimet e huaja sidomos në fushën energjetike. Kontratat e muajit dhjetor, janar të marra së bashku janë mbi 3 miliard euro. Janar të vitit 2009 që është muaji më i vështirë do thoja nga pikëpamjet e të ardhurave, kemi një realizim pothuajse 100% me atë që ka qenë parashikuar, gjë që mundëson mos përdorimin e huas për të financuar.”
Milo e konsideron një lajm të mirë rritjen e nivelit të depozitave muajt e fundit. Lidhur me këtë Këshilli Mbikëqyrës i BSH ka në plan ti propozojë qeverisë rritjen e nivelit të garancisë për depozitat, nga 700 mijë lek që është aktualisht në 2.5 milion lekë.
Petraq Milo: “Mendoj që çdo masë që propozohet për të rritur më tepër si të thuash besimin, kuptohet që është pozitive dhe qeveria sigurisht që do ta shqyrtojë do me thënë me seriozitetin e saj të duhur këtë masë në qoftë se do të propozohet nga këshilli mbikëqyrës i bankës.”
Edhe kreu i financave paralajmëroi një ditë më parë mbështetje ndaj rritjes së sigurisë të depozitave duke thënë:
Ridvan Bode: “Do të krijojmë besim të plotë depozituesit shqiptar që euron ta depozitojë në Shqipëri dhe jo në vende të tjera.”/tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro