Në një bilanc të rritjes ekonomike që shënoi vendi tre muajt e parë të vitit 2009 kryetari i qeverise Sali Berisha përmendi shifrën 6 %. Si faktorë që ndikuan në këtë rritje të madhe dhe të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, Berisha përmendi reformat që sikurse tha e shndërruan vendin në magnet për investimet e huaja.
Sali Berisha: “Ekonomia shqiptare nuk mund të thuhet se nuk u përball me pasojat e krizës, por ekonomia shqiptare më mirë se çdo ekonomi tjetër, ju rezistoi atyre. Kjo rritje qëndron para së gjithash dhe mbi të gjitha në bazat solide dhe parimet e drejta mbi të cilat ne kemi vendosur ekonominë shqiptare, Qëndron në reformat e thella ekonomike dh fiskale, Kjo rritje dhe kjo qëndresë e ekonomisë shqiptare u bë e mundur nga revolucioni ynë fiskal. Ne si asnjë vend tjetër kemi investuar vitin e kaluar rreth 10% të GTP-së në infrastrukturë.
Por kryeministri tha se pavarësisht situate pozitive në ekonomi nuk ka vend për vetëkënaqësi, por për një analizë të thellë të barrierave që duhen hequr apo tejkaluar. Risjellja në vëmendje e shifrës së rritjes ekonomike ishte dhe thirrje në memorien e atyre që kryetari i qeverisë i cilësoi skeptikë apo kritikë të parashikimeve optimiste në kohë krize botërore.
Sali Berisha: “Tremujori i parë 6% është oguri më i mirë që ne mund t’ju jepnim, është mbi parashikimet. Jo të pesimistëve, se pesimistët dihet, jo të skeptikëve, me skeptikët nuk duhet të merremi e kanë të shkretë, të varfër imagjinatën. Të jo skeptikëve të cilët rrinin te 4% për kënaqësinë e të gjithëve dhe të ministrit të Financave në veçanti, i cili ka qenë profetik në parashikimin e rritjes. Tremujori i dytë është tremujori i investimeve më ë fuqishme në historinë e këtij vendi Ndonjë nga këta gazetarët mund të mendojë se ato ishin elektorale, absolutisht jo. Ato ishin të programuara që të gjitha.”
Ndër vendimet e rëndësishme të qeverisë renditet dhe ai mbi mbështetjen e arsimit privat bazuar në praktika që zbatohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sali Berisha: “Do t’i kërkoj ministrit të Arsimit të përgatisë me shpejtësi kuadrin ligjor të mbështetjes së fuqishme të arsimit privat. Në bashkëpunim me ministrinë e Ekonomisë, Financave do të përgatitet kuadri ku ne do të japim tokë për shkollë.”
Bashke me arsimin shëndetësia është sektori që do të përjetojë reformë të thellë.
Sali Berisha: “Sot ka një revolucion, të vetëm, pas atij tonit fiskal. Një revolucion të vetëm, ky është revolucioni i shërbimeve, i cili do të ketë si rezultat përfundimtar të drejtën e qytetarit për të zgjedhur shërbimin.”
Qeveria miratoi bordin e agjencisë për mbështetjen e shoqërisë civile si dhe statutin e kësaj të fundit. Duke e cilësuar kolonë të funksionimin të shtetit kryeministri theksoi kategoritë e shoqërisë civile që duhen trajtuar me përparësi absolute. Për shkak të prioritetit të deklaruar si qeveri e duarve të pastra, kryeministri listoi të parat ato organizata të shoqërisë civile që monitorojnë iniciativat antikorrupsion.
Sali Berisha: “Pra qeveria duhet të paguajë që ta kritikojnë, ta sulmojnë, ta qortojnë për problemin e korrupsionit. Përparësia e dytë do të jetë për shoqërinë civile që merret me problemet delikate të trajtimit të viktimave, të trafiqeve, të dhunës kundër grave, të dhunës kundër fëmijëve.”
Një tjetër vendim lidhej me kompanitë e ndërtimit, nq funksion tq garantimit të eficencës maksimale nga ana e tyre.
Sali Berisha: “Nuk do kenë të drejtë të marrin pjesë në tendera kompanitë që nuk kanë përfunduar 70% të kontratës së mëparshme. Ky vendim nuk shënon ndëshkimin, ky vendim shënon një obligim të tyre për të investuar në të gjithë aspektet në kompanitë e tyre.”
Kryeministri tha se vendimi është kusht që garanton zhvillimin e shpejtë të vendit./tvklan.al
Gazetare Menada Zaimi