Rruga Irfan Tomini, në afërsi të Komunës së Parisit, vazhdon të mbetet gangrena e banorëve të zonës. Punimet duhet të kishin përfunduar në muajin nëntor të vitit të shkuar. Për shumë muaj, punimet u braktisën për motive ende të paqarta. Makineritë janë rikthyer pak kohë më parë, pasi Tv Klan pasqyroi gjendjen e kësaj rruge, pas shqetësimit të ngritur nga vetë banorët. Por ka disa ditë që nuk punohet.

“Po vete kohë këtu që ne po telendisemi, po merohemi. Shkojmë dmth hop këtej hop nga krahu tjetër sa të dalim në shtëpi.”

“Ne si banorë të lagjes këtu e kemi shumë problem. Ka 1 vit e gjysmë 2 vjet që s’po marrim masa fare.”

Gazetari: “A po punohet tani?”

“Punohet me intervale, 1 ditë punohet, 5 ditë s’punohet.”

Zvarritja e punimeve në këtë bllok banesash i ka revoltuar banorët. Ankesat e tyre pranë pushtetit vendor nuk kanë marrë përgjigje.

“Po sikur s’po bëhen tamam punimet, vetëm baltë, shi nga të katërta anët. Këtu është bërë si një somali.”

Ajo që u mbetet të bëjnë është që para se të dalin nga shtëpitë, veshjen ta përshtatin me gjendjen e rrugës.

“Duam çizme.”/tvklan.al