“Edhe shiu u kthye i kuq në Rusi, teksa Anglia mposhti në mënyrë heroike Kolumbinë”,
kështu shkruajnë mediat britanike për një fenomen të pazakontë për ne, por jo për qytetin e Norilsk të Rusisë.
Pikërisht ky qytet mbrëmjen e së martës u përfshi nga reshjet e pazakonta të shiut. Makina e rrugë u mbuluan nga shiu i kuq si gjaku dhe banorët u tmerruan se po vinte fundi i botës.
“Është si film horror, shiu është i kuq gjak”
, shkruante një përdorues në rrjetet sociale.
Të shumtë ishin ata që i druheshin faktit se shiu ishte i ndotur me elementë kimikë helmues. Megjithatë, gjiganti i metaleve Nornickel, pronar i uzinës Nadezhdinsky mohoi se kishte rrezik për shëndetin. Një burim tha për mediat ruse se në fakt shiu i kuq kishte ardhur si pasojë e pastrimit që ishte kryer në qytetin e minierave.
Një sasi e madhe oksidi hekuri ishte hequr nga sipërfaqja dhe nga çatia e një fabrike, në përpjekje për të përmirësuar mjedisin. Por erërat e forta dhe shiu i kishin sjellë këto mbetje nëpër rrugët e qytetit.
Norilsk shihet si një prej vendeve më të ndotura në botë dhe autoritetet atje kanë nisur punën për pastrimin e tij.
/tvklan.al