Të ftuar:
Mihrije Braha – Këngëtare
Lori Braha – Këngëtarr
Për më shumë se 40 vite, ajo ka prekur skenën shqiptare dhe prej vitesh është një figurë mjaft e njohur në tregun e muzikës. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur, Mihrije Braha emri i së cilës është shumë i dashur për publikun.
Por ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim në studiot televizive, ajo sot ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan me motrën e saj, po ashtu këngëtare, Lora Braha.
Gjatë emisionit, ato rrëfyen marrëdhënien e ngushtë me njëra-tjetrën dhe kujtimet nga fëmijëria.
“Unë dhe Lora kemi 10 vite diferencë. Unë kam qenë 10 vjeç kur Lora erdhi në jetë dhe jam gëzuar shumë kur ajo ka lindur. Mendoja se do të luaja me të siç luaja me kukulla. Ne jemi shumë të lidhura. Lora e ka patur modelin në shtëpi dhe dyert i janë hapur edhe prej meje, edhe prej Naimit dhe motra e madhe vetëm i ka shijuar sukseset tona. Ne jemi rritur bashkë dhe me kalimin e viteve diferenca e moshës mes nesh është shuar”, tha Mihrija.
“Për mua dyert kanë qenë shumë të hapura, por herë pas here kam patur edhe pengesa dhe paragjykime. Kohët e fundit nuk kam mundur të merrem intensivisht me muzikë, por në vazhdim nuk do të mungojnë. Unë kam patur fat se Mihrija, edhe para luftës ka qenë shpesh në Europë dhe unë kam qenë ajo e përkëdhelura e saj. Gjithnjë më sillte dhurata. Dhe fëmijërinë e kujtoj si pjesën më të bukur. Kur është martuar Mihrija nuk e kam përjetuar shumë, sepse ajo vazhdimisht ka qenë nëpër turne, ka munguar. E mbaj mend kalimthi dasmën e saj, kam qenë në klasë të pestë”, tregoi Lora Braha.
Ilir Hysaj – Pasticier
Dhurata Thanasi – Guzhiniere
Të gjithë e pëlqejmë çokollatën për shijen që sjell kur e konsumojmë, por kësaj here një risi vjen në vendin tonë. Së fundmi në Tiranë, në ambientet e Kalasë së Tiranës është organizuar festa e çokollatës.
Tashmë do të kemi një çokollatë “Made in Tirana”. Për të na treguar për këtë risi ishin të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Dhurata Thanasi administratore e Luga e Argjendtë, së bashku me shefin Ilir Hysaj, i cili ka përgatitur çokollatat.
“Jam e kënaqur për produktin dhe për pjesëmarrjen e madhe të njerëzve. Ideja për këtë festë ka lindur një vit e gjysmë më përpara. Duke biseduar me Ilirin menduam se si të sillnim diçka shqiptare. Ne kur vijmë nga jashtë sjellim çokollata për të afërmit tanë dhe menduam pse jo të kemi edhe çokollatë “Made in Tirana”. Kështu lindi edhe ideja. Çokollatën e quajtëm “Made in Tirana”, sepse Tirana është ajo që i pret të gjithë. Në Tiranë zhvillohet gjithçka. Në këto çokollata janë të gjitha aromat e tokës dhe është edhe një element nostalgjie brenda dhe ne jo pa qëllim e kemi çuar edhe në Aeroportin e Tiranës ku secili mund të zgjedhë të blejë një çokollatë shqiptare përpara se të ikë”, tha Thanasi.
Hajredin Tace – Agronom