Lajme Arkiva 2003

Bashkëkryetarët e komisionit bipartizan për zgjedhjet Et’hem Ruka dhe Jemin Gjana kanë mendime të ndryshme lidhur me ekzistencën e një marrëveshje për zgjedhjen e anëtarit të 7 të KQZ-së, garant për të cilën ka qenë presidenti i republikës zoti Alfred Moisiu dhe ambadasori i OSBE-së në tiranë zoti Lipponen. Zoti Ruka shprehet se marrëveshja që ai shpreson është ajo për kodin zgjedhor.

Et’hem Ruka: Midis PS-së PD-së dhe të gjitha forcave politike parlamentare ka vetëm një marrëveshje, është ligji, ose më mirë të themi kodi i ri zgjedhor i miratuar në parlamentin e Shqipërisë i cili duhet të zbatohet pikë për pikë. Marrëveshje të tjera të nënshkruar në modalitet e zgjidhjes së anëtarëve të komisionit qendror nuk ka ato bëhen vetëm e vetëm në përputhje me ligjin. Unë mendoj se i gjithë ky diskutim është një diskutim shterpë, është një diskutim i kotë sepse në fund të fundit këshilli i lartë i drejtësisë ka zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. Në qoftë se politika kërkon të nënshtrojë këshillin e lartë të drejtësisë e të jap urdhra se si do të votojë, kjo është absolutisht e dëmshme për ecurinë e politikës dhe të shtetit shqiptar.

Lidhur me kërcënimin e presidentit për dorëheqje nëse anëtarja e shtatë e KQZ-së nuk tërhiqet Ruka shprehet.

Et’hem Ruka: Në qoftë se  e ka thënë këtë gjë them se është nxituar. Presidenti nuk ka asnjë motiv që të bëjë deklarata të tilla. Ai është faktor i unitetit të kombit si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë  në qoftë se ai ka vërejtje që Këshilli i Lartë i drejtësisë nuk ka votuar në rregull, ka të dhëna që aty janë manipuluar votat, atëherë ai ka të drejtë të ndërhyjë. Ndërsa sipas zotit Gjana Marrëveshja ekziston.

Jemin Gjana: Ekziston një marrëveshje dhe ajo është e bazuar në kodin e Venecias për të siguruar në komisionin qendror të zgjedhjeve në barazi e cila mund të jetë një barazi strikte që siguron skemën 3+3+1  e cila është nënshkruar në marrëveshje, ose një barazi proporcionale që shkon në skemën 4+3 për komisionin qendror të zgjedhjeve. Kjo marrëveshje është thyer me këtë mënyrë që ka vepruar këshilli i lartë i drejtësisë. Duhet të theksoj se raporti që duhej të ruhej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka qenë një raport i pranuar nga palët.

Anëtarët e KLD-së thotë zoti Gjana kanë vepruar si militantë socialist.

Jemin Gjana: Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë që kanë vepruar absolutisht si militantë socialistë duhet të dalin të shpjegojnë publikisht në cilin paragraf të nenit 42 janë mbështetur për të miratuar këtë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./tvklan.al