Rumania bëri befasinë e parë të këtij Europiani, duke fituar 3 – 0 ndaj Ukrainës që e niste si favorite këtë përballje që u transmetua në TV Klan.
Gafat e portierit Lunin i kushtuan shumë ukrainasve që zotëruan lojën me raste dhe qarkullim të topit, por pa arritur të shënojnë.
Rumunët që fillimisht e pritën kundërshtarin, e zhbllokuan rezultatin në minutën e 29’ në sfidën e luajtur këtë të hënë në Mynih.
Një eurogol i Stanciu i ndihmuar edhe nga pasimi i gabuar i portierit rival. Gardiani i Real Madrid u bë sërish protagonist negativ në të 53’, pasi nuk mundi të ndalte goditjen nga distanca të Razvan Marin.
Skuadra e Iordanescu mbylli llogaritë pas 3 minutash falë golit të Dragus, i cili goditi i pashqetësuar topin në zonën e vogël.
Rumania që mori 3 pikë të arta u tregua e kujdesshme deri në fund që të mos pësonte.
Tv Klan