Pas takimit me Presidentin e Republikës Alfred Moisiu, presidenti i Asamblesë Republikane Sabri Godo thotë se kadidatura e deputetit Robert Çeku për postin e kreut të Konrollit të Lartë të Shtetit nuk do të gjejë mbështetjen e opozitës dhe duke pasur parasysh këmbënguljen e presidentit, por edhe votimin e fshehtë në Kuvend, sipas Godos, do të përballemi me një konflikt të ri midis dy institucioneve të shtetit.

Sabri Godo: “Këtu bëhet fjalë për një institucion që duhet të jetë i depolitizuar, i pavarur nga forcat politike dhe mundësisht të gjendej një njeri i cili të ishte jashtë partive, le të themi një teknicien. Veç kësaj, them që në një rast të tillë presidenti ka detyrimin moral të këshillohet me palët, me mazhorancën dhe me minorancën, duhet të marrë një mendim të tyre, mund edhe të zgjedhë nga propozimet e tyre ndonjë kandidat, ndërsa presidenti u imponua që në fillim me këtë kandidaturë dhe për çudi nguli këmbë, nuk u tërhoq. Megjithëqë para tre muajsh p.sh. Berisha, në emër të PD-së, ia kundërshtoi kategorikisht këtë kandidaturë. Unë them që si veprim nuk është i drejtë, nuk ka moralitetin e duhur. Dhe pse duhet ngulur këmbë me domosdo për këtë njeri megjithqë, sikundër thashë, ai ka aftësitë e duhura dhe ka integritetin për t’i dhënë një vend të tillë, por kështu si u zhvilluan punët tani këtu, opozita detyrohet të marrë një qëndrim kundër, të votojë kundër tij. Me sa di unë, ky qëndrim i punuar nga Partia Demokratike dhe Partia Republikane do të përkrahet edhe nga grupet e tjera parlamentare të së djathtës dhe do të krijohet një konflikt për një gjë që ishte e padobishme dhe mund të zgjidhej në mënyrë të arsyeshme ose paqësore, si i thonë një fjale. Është në natyrën tonë që të krijojmë konflikte dhe për gjëra që nuk ekzistojnë dhe që munnd të mënjanohen dhe mua më vjen keq që punët morën këtë rrugë. Unë u mundova dje gjatë takimit më se dy orësh që pata me presidentin të arsyetoj me të që do të ishte një gjë e mençur dhe e urtë ta tërhiqte këtë propozim dhe të bënte një propozim tjetër. Kjo nuk duhet marrë si një çështje burrërie, të merrt me kokëfortësi, përkundrazi për mua burrëri është të jesh i urtë, të dish të tërhiqesh kur kjo është në shërbim të pajtimit të forcave politike. Presidenti ka mendimin e tij dhe me sa duket është i vendosur ta çojë këtë deri në fund.”/tvklan.al