Dosjet voluminoze përmbajnë të gjitha materialet që Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti para gjykatëses paraprake Miliana Muça, për ta bindur që ta dërgojë ish – ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri para drejtësisë. U nevojit një karrocë dore për t’i transportuar dhe 8 orë per t’i shqyrtuar të gjitha provat.
Ky vendim erdhi pas një seance tepër të tensionuar mes prokurorëve Vladimir Mara, Dritan Prençi e Arenc Çelo dhe ish-ministrit Tahiri. Hetuesit kanë renditur të gjitha provat që përmban dosja prej 57 fashikujsh, që sipas tyre e impikojnë ish-ministrin në trafikun e drogës me grupin e Habiljave.
Por Tahiri u ka kërkuar prokurorëve fakte konkrete mbi këto akuza. Në dalje të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ai theksoi se Prokuroria nuk mundi të argumentonte asnjë nga akuzat.
“Zgjati se të gjithë kishim gjëra për të thënë lidhur me atë që parashtruan prokurorët. Tani shkoi në gjykim dhe ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë”.
Tahiri hodhi sërish akuza mbi hetimin e Prokurorisë duke theksuar se nuk mund të jetë ai kurban i drejtësisë, ndërsa paralajmëroi se tani është radha e tij për të folur.
“Unë i kërkova Prokurorisë që të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë. Ndërkohë që nga sot e tutje që mbaron hetimi, do flas dhe unë në gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më proces i mbyllur. Nuk mund të jetë më një proces kur provat trafikohen. Ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade. Edhe them që do ia dal. Çdo kusur që po përjetoj tani do ja dal deri në fund. Pastaj komentet nëse jam unë kurbani apo jo, nuk më shqetëson”.
Bashkë me ish-ministrin, me të njëjtën akuzë do të gjykohen në mungesë edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela.
Tv Klan