Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Shefi i opozitës Berisha i është bashkëngjitur sot shqetësimit të ndërkombëtarëve, për rritjen e nivelit të krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme në Shqipëri. Duke e akuzuar qeverisjen e zotit Nano, për bashkëpunim me krimin e organizuar, zoti Berisha ka paralajmëruar, një fushatë denoncimi të mazhorancës socialistë.

Sali Berisha:- “Ne jemi në një proces, në të cilin duhet të qartësojmë edhe qytetarin e fundit shqiptar, se shkaku i rrënimit të tij, janë krimi i organizuar i qeverisë, se shkaku i mjerimit të tij është korrupsioni i qeveritarëve. Le të pyesin shqiptarët veten, ekziston ndonjë vend në botë, ku qytetarët të jenë kaq të varfër dhe qeveritarët kaq të pasur? Askërkund kjo diferencë nuk ekziston”.

Kryetari i PD ka dënuar dhe revanshin siç e ka cilësuar ai, të qeveritarëve ndaj fjalës së lirë. Ndërsa është shprehur se mirëpret çdo akuzë, pas zërave për ngritjen e një komisioni hetimor nga deputetët e PS.

Sali Berisha:- “Unë ndihem shumë i nderuar, nga çdo akuzë që klanet e krimit të organizuar në pseudo mazhorancën aktuale i bëjnë Sali Berishës, e nderojnë. Unë i sigurojë se, ky është vetëm fillimi, i asaj fushate, që do të nxjerrë në dritën e diellit, krimin e shëmtuar të tyre ekonomik dhe jo ekonomik. I tregojnë derën e burgut tjetrit, pse citoi gazetën. Këto janë kambanat e alarmit shumë të madh që bien për shoqërinë shqiptare, për median shqiptare, për shtypin shqiptar, për mbarë shoqërinë”./tvklan.al