Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në kulmin e një situate të tensionuar politike, lideri i opozitës Sali Berisha ka kërkuar krijimin e një qeverie të re, që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira. Zoti Berisha nuk saktësoi nëse e konceptonte këtë kabinet, si një qeverisje të përbashkët me socialistët, por sipas tij, e rëndësishme është që të ndërpriten lidhjet e politikës me krimin.
Sali Berisha:- “Që qeverisë Nano i kanë mbetur, iu kanë lëshuar motorët, këtë e kanë marrë veshë gjithë shqiptarët. Është e domosdoshme që kjo qeveri të iki nëpërmjet një mocioni dhe pas saj një qeveri tjetër që do të përgatisë një platformë për prerjen e lidhjes të politikës me krimin. Ky është një prioritet shumë i rëndësishëm, natyrisht janë zgjedhjet e lira e të ndershme ato që japin përgjigje përfundimtare”.
Beteja ligjore e demokratëve do të nisë që të hënën, kur opozita pritet të dorëzojë për herë të dytë në Kuvend një kërkesë për heqjen dorë të deputetëve nga imuniteti, duke i hapur rrugë prokurorisë të hetojë politikanët e dyshuar. Por debatet në parlament do të ndërthuren dhe me protestat anti-qeveritare të opozitës, vendim ky që është zyrtarizuar në mbledhjen e kryesisë së PD./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço