Në prononcimin e parë zyrtar pas shqyrtimit të ankimimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve kryeministri Berisha ka dhënë vlerësimin e tij mbi procesin zgjedhor.
Në një konferencë për shtyp ai vuri theksin tek puna e komisionerëve, falënderoi monitoruesit ndërkombëtarë, policinë dhe të gjithë shqiptarët pjesëmarrës në votime duke thënë se këto ishin zgjedhjet më të veçanta që prej vitit ’92.
Një falënderim i veçantë ishte për të rinjtë që votuan projektin evropian.
Sali Berisha: “Ishin përcaktues në këtë fitore. Ata janë dhe mbeten pararendësit e të ardhmes, janë me të vërtet frymëzuesit kryesorë të projektit të Shqipërisë Evropiane. Këto zgjedhje kanë qenë zgjedhjet më të veçanta që nga viti ’92 gjer sot sepse këto zgjedhje u zhvilluan ose në këto zgjedhje shqiptarët votuan në rrafshin teknik si të barabartë midis të barabartëve me kombet më të zhvilluara të Evropës dhe planetit.”
Kreu i qeverisë përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se ashtu siç njohu vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të pranojë edhe ato të kolegjit zgjedhor, i cili do të marrë nën shqyrtim ankimimet e subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Sali Berisha: “Zoti Rama ka zgjedh rrugën e presionit të përditshëm mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Do vazhdojë presionin e përditshëm mbi kolegjin zgjedhor. Kam deklaruar se kam ndërmend, kam deklaruar se do të pranoj verdiktin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deklaroj se do pranoj verdiktin e kolegjit zgjedhor. Kjo është e tëra, por po të flasim me fakte pjesë e lënduar jemi ne me mandatin e Fierit.”
Në lidhje me bashkëpunimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim kreu i qeverisë tha se ky koalicion i ka të gjitha potencialet për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sali Berisha: “Zgjedhjet jo vetëm nxorën fitimtar koalicionin, aleancën për ndryshim, por përcaktuan dhe një koalicion thellësisht të dobishëm për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare, një koalicion i cili ka të gjithë potencialin e madh politik, profesional, teknik, të gjithanshëm për të shndërruar në realitet me shpejtësi projektin e Shqipërisë Evropiane”.
Duke folur për koalicionin e ri qeverisës kryeministri garantoi se ai ka potenciale për të realizuar projektin e Shqipërisë Evropiane.
Sali Berisha: “Shqipëria në katër vitet e ardhshme do ketë një shpejtësi që se ka patur kurrë më parë.”
I pyetur nga gazetarët kryeministri foli dhe për bashkëpunimin me opozitën. Ai e quajti kryesocialistin Rama si një politikan të dështuar që nuk bën pjesë në agjendën e tij, por premtoi se do t’i shtrijë dorën për bashkëpunim Partisë Socialiste dhe grupit të saj parlamentar.
Sali Berisha: “Zoti Rama më duhet të them se do mbetet ne historinë e këtij vendi si politikani i shanseve të humbura”./tvklan.al