Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në fillim të muajit Prill do të nisin punimet për ndërtimin e segmentit të Korridorit 8, Elbasan-Librazhd një nga 5 segmentet e këtij korridori në vendin tonë. Burime nga Bashkia e Elbasanit kanë pohuar, se janë përcaktuar firmat ndërtuese nga 12 që hynë në konkurrim. Ato janë firma italiane Falcone, që prej vitesh është prezentë në vendin tonë dhe turkja Mampa Kompi, e panjohur më parë në aktivitetet ndërtuese në Shqipëri.
Ndërkohë ndryshe nga praktikat e mëparshme në segmentet rrugore të Korridorit 8, kanë përfunduar listat e plota të pronarëve që do të shpronësohen nga ndërtimi i këtij segmenti. Vendimi për shpronësimin, për interes publik është marrë edhe nga qeveria. Këshilli i ministrave ka parë të arsyeshme që në zbatim të projektit të segmentit rrugor Librazhd-Qukës, të shpronësojë një sipërfaqe trualli 220 m2, tokë bujqësore 1150 m2 dhe 100 rrënjë dru frutorë.
Segmenti që do të fillojë të ndërtohet në Prill është i gjatë 30.5 km, i gjerë 7.5 metra me dy korsi dhe është financuar nga Banka Europiane për rindërtim dhe zhvillim./tvklan.al
Gazetare – Elona Meço