Djali i shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, Ardiani ka mbërritur nga Kosova për të asistuar në seancën e parë gjyqësore ndaj 4 ish-punonjësve të SHIKU-t të akuzuar për zhdukjen e babait të tij. Pa hyrë ende në sallën e gjyqit Ardiani rrëfehet për Klan, duke iu përgjigjur skeptik pyetjes për vijueshmërinë e procesit penal.
Ai deklaron se do të dëshmojë emra të tjerë që përfshihen pas zhdukjes së babait të tij 15 vjet më parë në Tiranë.
Ardian Hoxha: “Besojmë se tani përfundimisht do të thotë, se do të dalin përpara drejtësisë jo vetëm këta 4 persona, por edhe të gjithë të tjerët që janë në këtë çështje.
Gazetarja: Paralelisht në Kosovë kanë nisur hetime edhe për zhdukjen e babait tuaj, ju thatë që do të dalin edhe emra të tjerë. besoni se ka edhe emra të tjerë funksionarë të lartë shtetëror shqiptarë?
Ardian Hoxha: “Patjetër ata janë vetëm më të vegjlit, peshqit e vegjël, peshqit e mëdhenj do të dalin pastaj.”
Gazetarja: Do dëshmoni?
Ardian Hoxha: “Po patjetër.”
Gazetarja: Çfarë do thoni më shumë për gjykatën?
Ardian Hoxha: “Do e shihni atje, Okay.”
Korrekt në kohë me gjykatën kanë qenë 2 prej 4 të pandehurve, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, të cilët në bankën e të akuzuarve nuk kanë komunikuar asnjë fjalë mes tyre të ndarë nga avokatët mbrojtës.
Prokurori i çështjes Xhevat Hana është gjendur është pozita komode i rrethuar nga roje dhe disa policë të cilët qëndronin përkrah tij. Mungesa në sallë e të pandehurit Budion Meçe që sipas avokatit të tij ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital dhe Ilir Kumbaros i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka detyruar gjykatën të shtyjë seancën e cila ka zgjatur vetëm 20 minuta.
Familjarë të Rezmi Hoxhës janë detyruar të ndjekin zhvillimin e seancës në këmbë, ndërsa djali i tij Ardiani fikson në celularin e tij imazhet e dy personave që akuzohen publikisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e babait.
Familja e Remzi Hoxhës do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore që do të zhvillohet çdo të premte në gjykatën e krimeve të rënda./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani