Segmenti i parë i rrugës Korçë – Ersekë është drejt përfundimit. Ky aks ka nisur të ndërtohet që prej vitit 2011-të, por ende nuk ka përfunduar.
Gjatë një inspektimi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri tha se qeveria do të lëvrojë fondet për të filluar punimet edhe në pjesën e dytë të rrugës.
“Këtu do të jetë edhe nyja lidhëse me rrjetin ekzistues dhe shumë shpejt fillimi i projektit të ri, loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë ku Bashkia e Kolonjës do të lidhet përfundimisht me rrjetin kombëtar rrugor. Këto punime do të përfundojnë shumë shpejt dhe besoj vitin tjetër do të bëhen procedurat për të filluar punimet pjesa tjetër, pra pjesa e dytë e rrugës drejt Kolonjës.”
Një shtesë fondesh do të jepet në fund të këtij edhe për rrugën Lin – Pogradec për të përfunduar asfaltimin dhe tunelin e këtij segmenti.
“Në vitin që vjen të mbyllim të gjithë elementët e tjerë të sinjalistikës, ndriçimit, gjelbërimit. Këtu ku po flasim, në tunelin e hyrjes së Pogradecit kanë mbaruar në masën më të madhe punimet.”
Për 2018-ën pjesa më e madhe e financimeve për rrugë do të jetë për veprat që kanë filluar punimet, ndërsa projektet e reja do të nisin duke programuar koston e plotë të tyre në buxhet.
Tv Klan