Këshilli i Europës është i shqetësuar për deklaratat e ish-kryeprokurores së Hagës Carla Del Ponte për përfshirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trafikun e organeve të rreth 300 të burgosurve serbë gjatë luftës. Në një intervistë për TV Klan, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës Terry Davis, lidhur me këtë çështje shtrojë pyetjen, se pse Del Ponte zgjodhi pikërisht këtë kohë shumë domethënëse për rajonin për të bërë deklarata të tilla?
Terry Davis: “Jam shumë i shqetësuar për deklaratat e Carla Del Pontes, gjithsesi jam i habitur që ajo i ka bërë pikërisht tani dhe pse jo më parë. Por Këshilli i Europës nuk do të hetojë në Shqipëri mbi këtë çështje”.
Carla Del Ponte në librin e saj “Gjuetia, unë dhe kriminelët” hedh dyshimet për një trafik organesh ndaj 300 të burgosurish serbë të rrëmbyer nga UÇK, të cilët më pas dërgoheshin në një shtëpi në Burrel ku kryhej dhe transplanti i organeve. Tirana dhe Prishtina zyrtare e hodhën poshtë akuzat duke i konsideruar si trillime dhe absurditete.
Megjithatë asambleja parlamentare e KE vendosi të shqyrtojë akuzat pasi sipas saj nuk kishte ende fakte për të dyshuar në vetëdijen e ish-kryeprokurores Carla Del Ponte./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle