Për herë të parë, banorët e fshatit Gurrë në Burrel kanë zhvilluar një proteste kundër akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës Carla Del Ponte se një prej shtëpive është shfrytëzuar si klinikë për trafikun e organeve ndaj civilëve serb të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Duke sfiduar të ftohtin dhe temperaturat e ulta, dhjetëra vetë u mblodhën pranë shtëpisë e cila u bë e famshme nga libri i Del Pontes “Gjuetia, unë dhe kriminelët e luftës”. Të përkrahur nga deputeti i zonës Qemal Minxhozi, banorët hodhën poshtë akuzat jo vetëm ndaj kësaj kulle dykatëshe, por dhe ish-ushtarëve të UÇK-së.
Qemal Minxhozi: “Të akuzosh Gurrën se ka shërbyer si qendër për transplantimin e organeve të ushtarëve serb apo si një varrezë masive e tyre, është jo vetëm e pa ndershme dhe e pa drejtë po dhe krejtësisht e gabuar historikisht. Ne kemi qenë rregullisht të persekutuarit dhe asnjëherë persekutorët”.
“Të dënojmë një zëri akuzat shpifëse, poshtëruese dhe kriminale që i ka vu kësaj treve, këtij populli, liridashës e punëtorë qeveria serbe. Ato kriminel serb që na akuzojnë për krimet që kanë bo mbi vllaznit tonë kosovar”.
“Urojmë që zëri ynë të dëgjohet deri në instancat ndërkombëtare, deri në kancelaritë e jashtme perëndimore dhe të mbrohet siç thanë shumë vetë se Gurra nuk është as Reçek, as Strebenicë, as Çeçeni. Gurra është një vend më patriotik ndonëse i varfër por me veti shumë të larta të shqiptarëve”.
Të indinjuar banorët iu drejtuan drejtësisë ndërkombëtare me thirrjet “Del Ponte mos shpif për shqiptarët”, “këtu s’ka asnjë varr serb” apo “Gurra nuk është Raçak” për të nxjerrë në dritë të vërtetën në lidhje me trafikun e organeve, për të cilat u shprehen të sigurt se është një shpifje në dëm të fshatit Gurrë dhe Kosovës së pavarur. Pak dite më parë mediat serbe rikthyen vëmendjen tek çështje, duke shkruar se hetuesit e gjykatës së Hagës kanë gjetur fakte dhe gjurmë në shtëpinë në fjalë./tvklan.al