Andis Harasani, Sekretari i Partisë Socialiste, për programin i shtohet listës së figurave të kësaj force politike që kërkojnë largimin e Edi Ramës pas humbjes së zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Edhe Harasani ashtu si paraardhësit e tij, në një intervistë për gazetën Panorama, kërkon nga kryetari të respektojë statutin e Partisë dhe të bëjë ashtu si ish-kryetari Nano pas humbjes së 2005-ës.
“Rama gaboi”,- thotë Harasani, “Pasi lejoi krijimin e fraksioneve në parti”. Sipas tij vetëm pjesëmarrja e grave në kuvendin e ardhshëm ishte pika e plotësuar e programit. Edhe Harasani thotë se PS gaboi në marrëdhëniet me aleatët. Çka është më e keqja etiketimi i disa prej tyre si tradhtarë.
Një tjetër gabim sipas tij është edhe përkrahja e individëve të veçantë që kishin pak lidhje me partinë Socialiste. Harasani pranon se kryetari i partisë Demokratike Sali Berisha e shfrytëzoi më mirë koalicionin që krijoi. Ndërsa koalicioni i Partisë Socialiste, sipas tij ishte më i dobët dhe jo vetëm nga numri i partive pjesëmarrëse.
Ishte një koalicion virtual me mungesë besimi mes aleatëve. Andis Harasani e konsideron një pikë kryesore të humbjes së PS në zgjedhje mos kandidimin për deputet të kryetarit Edi Rama./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe