Policia e Vlorës ka vendosur sekuestro preventive mbi disa pasuri dhe objekte, vlera financiare e së cilave kap shifrën e 500.000 eurove.
Në një njoftim për mediat, uniformat blu thonë se sekuestroja vjen në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale në kuadër të një procedimi penal të nisur prej vitit 2014.
“Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si më poshtë:
• 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum;
• 1 pemishte në Radhimë;
• 2 automjete;
• 2 llogari bankare;
Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 500 000 euro”, thuhet në njoftim.
Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj L. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ky person ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.
Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë./tvklan.al