Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur sekuestro preventive ndaj aksioneve në një bankë të nivelit të dytë të Mirela Dinit, bashkëshortes së deputetit Alfred Peza.

Vendimi erdhi me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të hetimit të nisur ndaj tyre nga Prokuroria e Përgjithshme për veprat penale; “

Fshehje e të ardhurave;

 

pastrimi të produkteve të veprës penale

;

refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive

”.

Procedimi penal për këto vepra penale ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka si objekt hetimin e pasurive të deputetit, Alfred Peza, bashkëshortja e të cilit ka blerë vlerën e aksioneve në masën 1%, pranë Bankës “Credins” sh.a, në vlerën e 113 milionë lekëve më datë 17 Mars të vitit 2015.

Në një njoftim zyrtar për mediat, organi i akuzën thotë se nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se deputeti Peza dhe bashkëshortja e tij Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe likujditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve të bankës Credins sha.

Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në rregjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve.

Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza-Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve të reja.

Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.

Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës Credins sha, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka Credins apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve.

Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit ligjor, ka përcjellë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda referimin për hetim pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.

Në bazë të këtij referimi, si struktura kompetente për këto raste, Prokuroria për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal per hetim pasuror, në bazë të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “

Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë

” (Antimafia).

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi vendosjen e sekuestros ndaj aksioneve të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini në “Credins” sh.a, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda./tvklan.al