Franca ka mundur populizmin, duke kthyer edhe njëherë shpresën për vazhdimësinë e një Europe të bashkuar.
Francezët zgjodhën presidentin më të ri në moshë që ka parë vendi, 39 – vjeçarin Emmanuel Macron. Me një fitore të thellë, 66.06% të votave, ish-bankieri mundi ekstremisten e djathtë, Marine Le Pen e cila mori mbështetjen e 33.94% të francezëve. Rreth 74% e popullit francez morën pjesë në zgjedhje, pjesëmarrja më e ulët në 50 vitet e fundit.
Një tjetër rekord negativ ishte ai pavendosmërisë. Rreth 25% e elektoratit abstenuan, shifra më e lartë që prej vitit 1969. Pas shpalljes së rezultateve, Macron falenderoi ata që e votuan. Presidenti i ri u zotua edhe një herë të mbrojë Europën.
“Dua t’ju them faleminderit. Me gjithë përkushtimin dhe energjinë time do të jem i denjë për besimin tuaj. Do të mbroj Francën, interesat e saj jetike dhe imazhin e saj. Do të mbroj Europën. Në lojë është qytetërimi ynë, mënyra jonë për të qenë të lirë.
Kandidatja e Frontit Nacional pranoi rezultatin.
Telefonova Macronin dhe e urova per fitoren. I uroj sukses ne sfidat e medha qe e presin,
tha Le Pen.
Fitorja e Macron është vetëm fillimi i sfidave me të cilat do të përballet presidenti i ri. Ish-Ministri i Ekonomisë në qeverinë socialiste, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e parlamentit francez ku aktualisht i duhet të fitojë përfaqësimin.
Franca do të shkoj në zgjedhje paralmentare në Qershor dhe partia “En Marche” e Macron, e krijuar vetëm 13 muaj më parë, nuk ka asnjë post në parlament. Macron është zotuar se do të shpenzojë 50 miliardë euro në fushën e investime publike. Edhe pse Kushtetuta i jep pushtet Presidentit, atij i duhet përfaqësimi dhe koalicionet në parlament, në mënyrë që reformat e premtuara të shohin dritën e diellit.
Tv Klan