Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vendosja e shtetit ligjor realizohet vetëm me largimin e qeverisë socialiste. Nënkryetari i komisionit parlamentar të Rendit dhe SHISH Shaban Memia, mendon se vetëm kështu do të zhduken dhe nga radhët e policisë segmentet e inkriminuara.

Shaban Memia:- “Krimi po e sfidon shtetin, e vetmja zgjidhje është që të largohet qeveria socialiste, me qëllim që të ndahet shteti nga krimi, të bëhet e mundur që të spastrohen strukturat e rendit nga segmentet e inkriminuara. 6 vjet të qeverisë të PD, kanë dëshmuar që çdo përpjekje është goditur, ka pasur qëndrime të rrepta dhe toleranca nga qeveritë e PD ka qenë zero dhe qeveritë e ardhshme, se PD do të fitojë zgjedhjet e Tetorit dhe pas këtyre do të shkohet në zgjedhjet e tjera, toleranca e qeverive demokratike do të jenë zero ndaj krimit”.

Gazetarja:- Po në qoftë se nuk fiton zgjedhjet e Tetorit, çfarë do të ndodhi me PD?

Shaban Memia:- “PD do t’i fitojë zgjedhjet dhe situata është shumë e favorshme nga e cila do ta çojë Shqipërinë drejt fitores së forcave të djathta, do ta ndajë nga kjo qeveri mafioze, do ta ndajë nga padrinot dhe do t’i kthejë dhe njëherë shtetin ligjor, do t’i kthejë shpresën dhe perspektivën këtij vendi”.

Gazetarja:- Flasin që në ato 6 vite të qeverisjes demokratike janë vrarë 80 policë zoti Memia, përse jeni kaq i sigurt që qeveria demokratike nëse do të fitojë zgjedhjet do të sjellë rendin dhe stabilitetin?

Shaban Memia:- “Krime ka kudo dhe në çdo vend të botës, por ajo që duhet diferencuar në periudhën e qeverisë socialiste është se këtu kanë ndodhur krime të tipit mafioz dhe krime të rënda deri më sot nuk janë zbuluar dhe nga ana tjetër në të gjitha rastet kanë rezultuar që kanë pasur bashkëpunim segmente të punonjësve të rendit, pjesë të inkriminuara”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj