Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shqetësohen për një rritje të rasteve me COVID-19 gjatë festave të fundvitit ndërsa përpjekjet për vaksinim vazhdojnë. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell detaje.
Rreth shtatë milionë njerëz në SHBA udhëtuan me avion gjatë javës së Krishtlindjeve, më pak se 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar, por gjithsesi shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Zyrtarët e shëndetit publik janë shprehur të shqetësuar rreth mundësive që shumë njerëz të heqin dorë nga përpjekjet për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
“Gjëja e rëndësishme që njerëzit duhet të kuptojnë është se nëse keni udhëtuar, ka masa që mund të ndërmerrni“, thotë Dr. Jerome Adams, këshilltar i lartë për Shëndetësinë i Shtëpisë së Bardhë.
Ndër to testimi sa më parë pas udhëtimit thonë ekspertët. Ndërkohë autoritetet amerikane kërkojnë prej udhëtarëve që vijnë nga Britania të paraqesin se janë testuar negativ për koronavirus, kjo pas njoftimit për shfaqjen në këtë vend të një varianti të ri të koronavirusit, i cili përhapet më shpejt. Përpjekje të tilla janë pjesë e një fushate shumëplanëshe për të ndaluar infeksionet thonë zyrtarët e shëndetësisë.
“Gjëja e rëmdësishme që populli amerikan duhet të dijë është se masat për zbutjen e pandemisë funksionojnë. Shkenca tregon se funksionojnë”, shton Dr. Jerome Adams.
Rritja e numrit të infeksioneve së fundmi në Kaliforni dhe Arizona po zhbën disa nga përparimet e shënuara në pjesë të tjera të vendit. Ndërkohë disa zyrtarë po vaksinohen publikisht kundër virusit, pjesërisht për të dërguar një mesazh se vaksinat janë të sigurta dhe efektive.
“Duhet të angazhohemi me ata njerëz që kanë ndikim e janë të besueshëm për komunitetin. Duhet të sigurohemi që pastorët, imamët dhe rabinët, të gjithë me të cilët po punoj, kanë fakte, në mënyrë që t’i shpërndajnë ato tek besimtarët“, thotë Dr. Jerome Adams.
Zakonisht kjo është një periudhë e vitit gjatë së cilës njerëzit mblidhen bashkë për të festuar, por për shkak të virusit, ky është shdërruar në një sezon sa shqetësimi po aq edhe shprese të madhe./VOA