Yuri Kim: Mbështesim SPAK-un dhe Policinë e Shtetit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpreh mbështetjen e saj për punën e Policisë së Shtetit dhe SPAK. Në një deklaratë, Ambasada thotë se profesionistët e drejtësisë duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime e kanosje, pavarësisht se kush është i pandehur.

“Ambasada e SHBA-së mbështet me forcë punën e pavarur dhe profesionale të Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut. Profesionistët e sistemit të drejtësisë-oficerët e policisë, prokurorët dhe gjykatësit-duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa kërcënime dhe kanosje, pavarësisht kush është i pandehur. Ka ardhur koha që të lejohen të kryejnë detyrat e tyre dhe të mbështeten përpjekjet e tyre për të luftuar krimin e organizuar“, thuhet në deklaratë.

Ambasada e SHBA thekson se “kjo është e vetmja mënyrë që shqiptarët të kenë sistemin profesional dhe të paanshëm të drejtësisë që meritojnë, dhe të ecin përpara drejt integrimit në BE”.

E duke përcjellë këtë deklaratë, në një postim në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim shtoi: “Çështjet e rëndësishme gjyqësore shpesh shoqërohen nga fushata të shtrenjta për të mbjellë dyshim dhe çorientim, për të blerë ndikim, për të mohuar të vërtetën, për t’i ikur drejtësisë. Të jemi të qartë: kjo ka të bëjë me ndëshkimin e kriminelëve të njohur – asgjë më shumë, asgjë më pak. Mbështesim fort SPAK & Policinë e Shtetit”.

/tvklan.al