Kur kanë kaluar afro 8 muaj dhe kanë rinisur shirat e radhës, asnjë ndërhyrje nuk është kryer në segmentin rrugor që u shemb në Janar të këtij viti, për shkak të reshjeve në aksin rrugor Elbasan – Librazhd, në fshatin Xibrakë.
Nëse reshjet do të jenë me të njëjtin intensitet si vitin e kaluar, ky segment rrezikon të shembet krejtësisht dhe për pasojë qarkullimi në korridorin Lindje – Perëndim do të jetë i pamundur.
Prej muajsh, ky segment është një pikë rreziku për drejtuesit e automjeteve.
Ata ankohen se asgjë nuk ka ndryshuar për riparimin e dëmeve dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
Një gabim i vogël në Xibrakë mund të bëjë që makina të përfundojë në lumin Shkumbin. Aksidentet nuk kanë qenë të pakta.
Një i tillë ndodhi në fundjave.
Pas përmbytjeve që ndodhen në dimër, ministra e deputetë premtuan për ndërhyrje emergjente, jo vetëm në pjesën e dëmtuar, por shkuan më larg, duke thënë se me anë të një projekti do të rindërtonin komplet aksin, duke devijuar lumin.
Por rreziku sa vjen e shtohet me afrimin e dimrit.
Për dëmtimin e këtij segmenti, Deputeti Taulant Balla bëri padi në Prokurorinë e Tiranës ndaj ish – Ministrit Genc Pollo, si përgjegjës për dëmtimin e saj, me ndërhyrjen për ta çarë rrugën, për të shtruar një linjë interneti.
Tv Klan