Me përfundimin e muajt gusht, ka marrë fund edhe sezoni turistik në Shëngjin dhe së bashku me të janë mbyllur pjesa më e madhe e bizneseve. Këtu turizmi ka një jetëgjatësi jo më shumë se 2 mujore. Sipas pronarëve të bizneseve ata janë të detyruar të mbyllin aktivitetin për arsye se nuk arrijnë të mbulojnë as shpenzimet e tyre.

E vetmja mënyrë për të zgjatur sezonin turistik është ndërtimi i  një infrastrukture më të mire.

Hajdar Idrizi: “Po të ishte një rrugë, një park një zhvillim më i shumtë 100 % do të rrinë njerëzit se vendi është i bukur. E në qoftë se zhvillohet diçka më tepër atëherë ka gjasa që zhvillimi të jetë i mëtutjeshëm.”

Ky fakt pranohet edhe nga përfaqësues të komunës së Shëngjinit. Kolec Grisha përgjegjës i shërbimeve në komunën e Shëngjinit deklaron se janë planifikuar një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme, të cilat mendohet se do të sjellin një ndryshim rrënjësor të paktën në zgjatjen e sezonit deri në 6 muaj.

Kolec Grisha: “Për vitin e ardhshëm që ky sezon sapo ka mbaruar dhe aktiviteti dhe biznesi dhe turizmi pothuajse është ndërprerë. Komuna ka marrë një sërë masash, po planifikon për vitin e ardhshëm disa investime dhe shërbime shtesë kaluar këtij viti. Në mënyrë që aktiviteti turistik dhe tregtar, të gjithë në përgjithësi të zgjasë disa muaj më tepër.”

Ndonëse është një zonë mjaft e pëlqyer, Shëngjini vizitohet vetëm gjatë stinës së verës./tvklan.al