Ekspertëve ligjorë do t’u duhet tri javë kohë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 17-vjeçarit E. C. në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Rrëshenit. Kështu ëshët shprehur mjeku ligjor Anesti Vako, i cili tha se pas vdekjes në Spitalin Ushtarak viktimës iu bë autopisa. Nga kjo e fundit rezultoi se i mituri kishte fraktura në kokë dhe asnjë shenjë dhune në trup ndërkohë që operacioni që ishte bërë në spital nuk mundi t’i shpëtojë jetën. Deri tani nuk është arritur të përcaktohet, nëse viktima ka gjetur vdekjen nga goditja me ndonjë mjet të fortë, apo nëse i është përplasur koka në mur.

Mjekët thanë se C. ka pasur hemorragji të brendshme të tru dhe për këtë arsye diçka më të saktë mund të vërtetojë ekspertiza mikroskopike e pjesëve të trurit, gjë që kërkon një afat kohor prej tri javësh. Hetimet ende nuk kanë dhënë ndonjë përfundim lidhur me shkaktarët e kësaj ngjarjeje.


Avokati i Popullit tashmë ka dërguar përfaqësuesit e tij në Rrëshen. Disa organizma të të drejtave të njeriut pretendojnë se 17-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e dhunës së policisë, ndërsa vetë kjo e fundit ka dhënë versionin sipas të cilit i riu është goditur nga një tjetër i paraburgosur. /tvklan.al