Lajme Arkiva 2003

Kryeprokurori i Fierit është shkarkuar nga detyra me urdhër të prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku, i cili e ka gjetur atë përgjegjës për lirim nga dhomat e paraburgimit të Aleksandër Kuqos.

Ky i fundit është dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Italiane e Milanos, për vrasje, trafik prostitucioni dhe mbajtje armësh luftarake pa leje. Prokurori i Fierit Ilirian Muho u shkarkua nga detyra pak ditë pas lirimit të Kuqos dhe në vend të tij u komandua prokurori i Prokurorisë së Përgjithshëm Arqile Koça.

Ndërkohë është pezulluar edhe prokurori i çështjes po në Fier Aleksandër Tanku. Ndaj të dy këtyre prokurorëve, nisi procedimi disiplinor i cili do të shqyrtohet nga këshilli i prokurorëve që pritet të mblidhet këto ditë ndërkohë edhe ndaj gjyqtarëve përgjegjës për këtë rast do të merren masa.

Ato do të diskutohen në mbledhjen e këshillit të lartë të drejtësisë që është kërkuar nga Ministri i Drejtësisë Pirro Peçi. Ndërkohë Aleksandër Kuqo është sërish në kërkim, pasi Gjykata e Fierit e liroi atë si të sëmurë mendor në bazë të një akt-ekspertize nga mjek ligjor të këtij rrethi.

Dënimi që i ka dhënë gjykata italiane me burgim të përjetshëm, është konvertuar sipas ligjeve shqiptare në 21 vite burg./tvklan.al