Në krye të grupit, Arbër Çekaj
Policia italiane shkatërroi një grup italo-shqiptar të drogës, që trafikonte qindra kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë.
Në operacionin “Contadino” të finalizuar në Novara përfunduan në pranga 19 persona, mes tyre 7 shqiptarë, ndërsa 7 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas mediave në vendin fqinj, në krye të kësaj organizate të strukturuar ishte shqiptari Arbër Çekaj, i arrestuar në muajin maj në Gjermani, pasi në kamionët e shoqërisë së tij të transporteve u gjetën 613 kilogramë kokainë të ardhura nga Kolumbia.
Hetimet rreth kësaj organizate të trafikut të drogës kishin nisur në vitin 2017, kur u arrestua me 3 kg kokainë 38-vjeçari shqiptar Elton Shano. Ky i fundit, pas disa muajsh në qeli, vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë italiane, duke hedhur dritë mbi xhiron e mirëorganizuar të kokainës që kishte si qendër pikërisht qytetin e Novaras.
Tv Klan