Qëndrimi i Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste pas humbjes në zgjedhjet e 28 Qershorit, e përçan më tej bazën e kësaj partie. Dega e Shkodrës është përfshirë në debate të ashpra dhe është ndarë në palë me qëndrime diametralisht të kundërta.

Njëra, e përfaqësuar nga kryetari i saj, Edip Shiroka, kërkon respektimin e statutit të partisë dhe largimin e Ramës, ndërsa pala tjetër që përfaqësohet nga sekretari i Asamblesë së rrethit kërkon që Rama të qëndrojë në drejtimin e partisë, pavarësisht humbjes, edhe pse në kundërshtim me statutin.

Dode Mehmetaj: “Vlerësojmë se edhe prononcimet e anëtarëve të kryesisë së  PS duke pretenduar përfundimin apo ndërprerjen e mandatit të liderit të PS janë të nxituara dhe të parakohshme. Për sa kohë që nuk është shpallur rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe nuk janë shqyrtuar ankimimet e PS nga kolegji zgjedhor.”

Por kryetari Shiroka i qëndron respektimit rigoroz të statutit, të miratuar nga vetë socialistët. Ndërsa qëndrimin e sekretarit të asamblesë e sheh të nxitur nga persona të caktuar, dhe sqaron se ai përfaqëson mendimin e shumicës së socialistëve të Shkodrës.

Edip Shiroka: “Të zbatohet statuti, njerëz të cilët reagojnë është normale, por ndoshta edhe me bekimin e dikujt i cili ka premtuar shumë për këtë dhe nuk ka arritur atë rezultat që duhet. PS ku unë jam kryetar për qytetin Shkodër është në bllok me gjithë anëtarësinë e saj  më gjithë simpatizantët e saj që të zbatohet në mënyrë rigoroze statuti i PS-së. Ai statut që vetë ne e kemi miratuar edhe unë kam thënë statuti i PS do të zbatohet në radhë të parë që nga baza, që nga kryetarët e njësive vendore që nuk kanë dhënë rezultatin e duhur.”

Dega e Shkodrës, ishte e para që kërkoi largimin e Edi Ramës nga drejtimi i Partisë Socialiste dhe u pasua edhe nga baza e Lushnjës.

Socialistët e këtyre dy rretheve e ngarkojnë me përgjegjësi Ramën për humbjen në zgjedhje dhe e fajësojnë atë për drejtim të gabuar të Partisë e dështim në bashkimin e të majtës.

Zërat e tyre u bashkohen atyre të disa anëtarëve të kryesisë socialiste dhe figurave të njohura të partisë më të madhe në opozitë, sipas të cilëve largimi i Ramës është një detyrim statutor i pashmangshëm dhe se paaftësia e tij për të bashkuar të majtën i la socialistët në opozitë edhe për katër vjet të tjera.

Humbja e 28 Qershorit shihet nga eksponentë të lartë të selisë rozë si domosdoshmëri për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në parti, për të rikthyer, siç janë shprehur ata në deklarata mediatike, vlerat e kësaj partie dhe për të patur një drejtim dinjitoz të saj.

Qëndrimi i Ramës në krye të PS-së dhe vonesa e zgjedhjeve në këtë parti, po pasohet në ndarje të thella në bazë, çka po sjell një çorientim të strukturave të saj, e me shumë gjasë edhe acarime që mund të thellohen./tvklan.al