Ndalohet shefi i Postës së Policisë në Fushë Arrëz

Shefi i Postës së Policisë në Fushë Arrëz është ndaluar nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA-së pasi dyshohet për marrëdhënie seksuale me dhunë. Mësohet se kjo ngjarje është kallëzuar së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu, pavarësisht se ka ndodhur që në vitin 2015.

Bazuar në provat e mbledhura dyshohet se Izmir D. ka ngacmuar seksualisht viktimën në një kohë që ajo kishte shkuar për të denoncuar përdhunimin që i kishin bërë disa persona, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër.

“Bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin Prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër. Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër”.

Materialet i kanë kaluar prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, viktima është marrë dhe është strehuar në një qendër sociale nga autoritetet shtetërore dhe organizatat jofitimprurëse.

“Duke përfituar nga ky komunikim publik, SHÇBA i bën thirrje çdokujt që është dhunuar apo ndihet nën presion, të denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit apo Prokurorisë, si dhe pranë SHÇBA nëse evidentojnë shkelje të punonjësve të Policisë, në numrin 0800 90 90, duke garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Kujtojmë që javën e kaluar opinioni publik u trondit me lajmin e 65-vjeçarit Abaz Dogu, i cili përdhunoi një 15 vjeçare. Abaz Dogu, i cili kishte qenë roje në shkollën ku ajo mësonte u la në burg.

Bashkë me të në qeli përfunduan edhe 3 të rinj të cilët abuzuan seksualisht me të miturën pasi e shantazhonin me një video të filmuar nga Dogu dhe që ky i fundit ua kishte shpërndarë. /tvklan.al