Lajme Arkiva 2003
Drejtues të katër shoqatave të gazetarëve denoncuan te presidenti Alfred Moisiu incidentin e ndodhur në festën e Partisë Socialiste ndaj kryeredaktorit të lajmeve të Vizion Plus Ilir Babaramo. Kryetari i Shoqatës së Mediave Elektronike Aleksandër Frangaj dhe kryetari i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë Ylli Rakipi thanë për mediat.
Aleksandër Frangaj: Presidenti Moisiu na dëgjoi të gjithëve me radhë, u informuar saktë për çfarë ka ndodhur dhe ai premtoi që është me ne, pra është me gazetarët, do të japë kontributin maksimal për ta ndjekur, për ta hetuar çështjen dhe për ta çuar deri në fund mbrojtjen e të drejtës sonë, për të mbrojtur nderin e gazetarit të rrahur nga ministri Luan Rama dhe njëkohësisht për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e shtypit në përgjithësi dhe të medias në veçanti. Ne kërkuam dorëheqjen dhe shkarkimin e ministrit Rama. Nëse ministri Rama nuk do të jap dorëheqjen ne do të përshkallëzojmë protestën tonë me të gjitha format dhe mjetet demokratike duke filluar me protesta para Ministrisë së Rendit, me protesta në faqet e gazetave dhe në ekranet e televizioneve dhe deri në fund do i kërkojmë të gjithë partive politike, deputetëve, popullit të Tiranës të dalë të protestojë përpara Ministrisë së Rendit deri sa ai të shporret nga ajo ministri, për aktin e turpshëm dhe të paprecedent në historinë, jo vetëm të shtetit shqiptar, por të gjithë shteteve në botë. Nuk ka ndodhur, nuk ka asnjë rast, nuk ka asnjë precedent që ministri të godasë me duart e tij gazetarin në fytyrë. Prandaj ai duhet të largohet me çdo kusht nga ai post.
Ylli Rakipi: Vetë ministri duhet të kishte kurajën që të shpallte një akt civil pas kësaj që ka bërë. Ajo është një ngjarje mjaft e shëmtuar, presidenti dëgjoi të gjithë gazetarët dhe na premtoi se do të ndërhyjë menjëherë për ta zgjidhur këtë problem në të mirë të komunitetit të gazetarëve. Akti ishte tepër i shëmtuar, qëndrimi i ministrit ishte cinik pas ngjarjes. Kishte në dorë për një gjest normal më pas. Për të thënë më fal për këtë gjë, për të kërkuar ndjesë publike, ai ka bërë të kundërtën duke u bërë dyfish fajtor./tvklan.al