Dy persona kanë rënë në pranga në Pogradec për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
F.Sh., 26 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe S.B. 39 vjeç u arrestuan pas operacionit të koduar “Topleci”. Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u mësua se këta persona shpërndanin lëndë narkotike në qytet. Ndalimi i tyre u bë në lagjen nr. 4.
“Gjatë kontrollit fizik, shtetasit F. Sh. iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, ndërsa nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit S. B. u gjet dhe u sekuestrua 1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”./tvklan.al