Këto janë pamjet e laboratorit të kokainës të përshtatur në një banesë në Qerekë të Fushë Krujës zbuluar nga SPAK, pas një hetimi të nisur në vitin 2023, në të cilin janë angazhuar dhe agjensitë e huaja, mes të cilave ato spanjolle.

Në pranga janë vënë 10 persona, mes të cilëve 7 shqiptarë dhe 3 shtetas të huaj, 2 nga Venezuela dhe 1 nga Kolumbia, të cilët akuzohen si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës nga Amerika Latine.

Gjatë operacionit u sekuestruan 48 tonë ose rreth 850 lëkurë gjedhi ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, e importuara nga Amerika Latine në Shtator dhe Nëntor 2024. U sekuestruan edhe 6.1 kg kokainë dhe 89 kilogram përzierës, solucione të tjera dhe shuma të mëdha parash.

Sipas Prokurorisë së Posaçme amerikano-latinët, ishin personat të cilët merreshin me përpunimin e kokainës, e cila ekstraktohej nga lëkura e bagëtive.

Ndërkohë pjesa tjetër e të arrestuarve, të cilët ishin nga Shqipëria, luanin rolin financuesve dhe siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë.

SPAK thotë se ky grup i strukturuar kriminal ishte kujdesur për zgjedhjen e pikave strategjike për ngritjen e laboratorit të drogës, por dhe ambjenteve ndihmëse në Tiranë e Durrës.

Ato ndodheshin në afërsi të portit në Durrës dhe aerportit të Rinasit, zona këto që vështirësonin monitorimin nga ajri prej autoriteteve, por gjithashtu lehtësonin dhe transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimik.

Në Tiranë, një nga bazat ishte në një vilë zonën e njohur si “Kodra e Diellit”.

Për organizmin e këtij aktiviteti kriminal, SPAK thotë se janë investuar shuma të mëdha parash të cilat ishin krijuar si produkt i trafikut të drogës që ky grup kryente në Shqipëri dhe Europë.

Për drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ky operacion vjen në një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Gjithashtu ai shton suksesi i arritur në këtë hetimi penal, provon dhe njëherë se bashkëpunimin i fortë me partnerët dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi i suksesit.

Tv Klan